Tradita bibliotekare në Tetovë ka gjurmë të thella në histori në këto vise. Data e saktë se kur është themeluar biblioteka nuk dihet mirëpo, supozohet se viti 1945 është viti kur biblioteka ka filluar të punojë në kuadër të Komisariatit për arsimim popullor. Për herë të parë ka qenë e vendosur në një shtëpi të porsandërtuar të tregtarit të njohur tetovar Mato Simoski- Çenka.
Fondi i parë i librave numëronte rreth 2000 tituj librash të trashëguar nga “Leximorja e tetovarëve të rinj”, e cila ishte e formuar më 23 korrik të vitit 1922 e pasuruar me literaturë marksiste-leniniste por kishte dhe një numër të madh të librave te autorëve klasikë. Të gjitha librat kanë qenë në gjuhën serbo-kroate me përjashtim të një numri të caktuar të broshurave politike të cilat kanë qenë te botuara në gjuhën maqedone. Në vitet e para biblioteka ka numëruar 500 anëtarë, shumica e të cilëve kanë qenë nxënës të shkollave të mesme-gjimnazistë dhe biblioteka ka punuar me dy ndërrime. Për nevojat e lexuesve biblioteka çdo ditë ka qenë e furnizuar me shtypin ditor si “Nova Makedonija”, “Borba”, “Politika”, “Naroden front” dhe të tjera.
Menjëherë pas çlirimit, njëkohësisht me fillimin e punës në bibliotekën e qytetit në Tetovë ishte e hapur edhe biblioteka në gjuhën shqipe e cila në fillim ka punuar ndaras prej asaj maqedonase. Ajo ka qenë e vendosur në shtëpi të vjetër në qendër të Tetovës. Biblioteka shqiptare ka numëruar rreth 2000 libra, ndërsa bibliotekist ka qenë mësuesi Isa Sabajdini nga fshati Poroj.
Në vitin 1948 ose 1949 me urdhër te strukturave politike qytetare dhe Komisariati për arsimim, biblioteka shqiptare u integrua në bibliotekën e qytetit. Në vitin 1952 u soll vendimi për ndarjen e bibliotekës nga Komisariati i arsimit dhe vazhdoi punën si institucion i pavarur kulturor-arsimor, ndërsa nga maji/qershori i vitit 1953 vazhdoi të punojë në katin përdhesë të shtëpisë së d-r Gligur Efçeski.
Gjatë punës së saj, menjëherë pas themelimit, biblioteka ka pësuar disa zhvendosje.Biblioteka ishte vendosur në hapësirën përdhese afër ish-restorantit “Lovec”, saktësisht në cep të rrugëve “Ilindenska” dhe Todor Cipovski- Merxhan”, gjegjësisht në ambientet e restoranit “Nov zhivot.” Në periudhë pas një viti, saktësisht në vitin 1954 Biblioteka përsëri është zhvendosur. Atëherë janë formuar Sektorë të veçantë: për fëmijë dhe të rritur dhe sektori për fëmijë është zhvendosur në hapësirat e shtëpisë së d-r Efçeski ndërsa sektori për të rritur në shtëpinë e familjes Avramoski të njohur me nofkën Rudiçevci, në rrugën “Strasho Pinxhur”.
Pas dy dekadave, më sakt në vitin 1967 Biblioteka Amë “Koço Racin”- Tetovë u rikthye në hapësirat e më hershme ku daton veprimtaria e saj, mirëpo këtë herë për shfrytëzim e kishte të gjithë objektin-shtëpinë e pronarit Mato Çenka. Në katin e poshtëm ka qenë e vendosur depoja e librave dhe Sektori për të rritur, ndërsa në katin e parë ishte i vendosur Sektori për përpunim profesional të materialit bibliotekar, Sektori për fëmijë dhe administrata. Në këtë objekt Biblioteka Amë “Koço Racin” veprimtarinë e sajë e ushtroi tri dekada e gjysmë, saktësisht deri më shtator të vitit 2002 ku në bazë të ligjit për denacionalizim i miratuar nga qeveria së RM-së në vitin 2000, objekti në të cilin ishte e vendosur biblioteka iu rikthye pronarëve dhe me këtë rast biblioteka e qytetit pësoi zhvendosjen e rradhës. Po në të njëjtin vit organet kompetente me vendim përkatës si lokalitet për shfrytëzim i caktuan 200 metër katror nga kati përdhesë i Pallatit të Kulturës së qytetit. Në këtë lokalitet u vendosën sektori për fëmijë, sektori për të rritur dhe sektori për përpunim professional të materialit bibliotekar. Në mungesë të hapësirave të nevojshme, një numër i madh i librave u vendosën në hapësira jo të përshtatshme, të clilat nuk kanë qasje për lexuesit. Në këto hapësira Biblioteka “Koço Racin” vazhdoi të funksionojë deri më nëntor të vitit 2023 kur në bazë të Vendimit të Qeverisë së RVM-së Biblioteka u zhvendos në hapësira tjera të Qendrës për Kulturë, të cilat deri atëherë i ka shfrytëzuar Fakulteti i Arteve pranë USHT-së.
Në bazë të Vendimit të Qeverisë së RM-së të datës 22.12.2003, Biblioteka më 22 korrik të vitit 2004, Biblioteka Amë “Koço Racin”- Tetovë me intervenim ligjor dhe vendim adekuat, ndërron statutin e saj dhe si rezultat i intervenimeve të përmendura institucioni u emërtua Institucioni Nacional Biblioteka “Koço Racin”.
Në të njëjtin vit Biblioteka lidh marrëveshje me INBU “Shën Kliment Ohridski”- Manastir për kyçje në bazën e përbashkët bibliografike përmes serverit të Manastirit dhe me këtë filloi procesi i automatizimit të punës bibliotekare dhe përpunimit të materialiot bibliotekar. Biblioteka “Koço Racin”- Tetovë është bërë pjesë funksionale e sistemit informativ-bibliotekar i cili funksionon përmes platformës COBISS dhe është një nga 72 anëtaret fuqiplote në COBISS.MK.
Biblioteka disponon me fond prej 110.000 njësive bibliotekare dhe ka afro 5000 anëtarë aktiv të të gjitha kategorive. Çdo vit realizohen projekte financiarisht të mbështetura nga Ministria e Kulturës si dhe manifestime që janë pjesë e programit të punës në bibliotekë. Në vitin 2023 Biblioteka mori çmimin “Biblioteka e vitit”.